Ukraina – Kosova, mund të regjistrohet me rezultat zyrtar 0:3!

Kosova mund të mposhtë Ukrainën pa luajtur fare në ndeshjen e përcaktuar më 9 tetor. Kështu shkruan sajti ukrainas “sport-express.ua”, të cilët bazohen në refuzimin e mundshëm të FIFA-s, që ndeshja të luhet në vend neutral, siç ka kërkuar Federata e Futbollit e Ukrainës (FFU).

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe pasaportat e saja, prandaj ka kërkuar nga FIFA, që ndeshja në fjalë të luhet në Bullgari, si vend neutral.

Mirëpo, sajti ukrainas i frikësohet më së keqes. “Nëse FIFA thotë jo, Ukraina do të jetë në rrugë pa krye. Të luajë në shtëpi (edhe pse FIFA e dinë se kjo nuk është e mundur) ose të regjistrohet ndeshja me rezultat zyrtar. E njëjta dilemë do të jetë edhe me ndeshjen që parashihet të luhet në Kosovë, sepse ne nuk jemi në gjendje të luajmë në territorin e papranuar. Pra, imagjinoni tani sikur Ukraina të humb 6 pikë nga Kosova, shpresa për kualifikim do të shuhej që tani”, shkruan “sport-express.ua”, raporton Gazeta Olle.

Sipas tyre, një tjetër mundësi nëse FIFA nuk lejon të luhet në terren neutral, atëherë Ukraina do të kërkojë nga Kosova, që ndeshja e 9 tetorit të luhet në Shkodër të Shqipërisë, aty ku Kosova do të luajë në fillim ndeshjet si vendas. /Olle