Thaqi: Me 89-shin do të jetë ndeshja më interesante

Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi, ka folur para takimit me kampionin, Trepça ’89, duke e quajtur këtë sfidë si më interesanten në kampionat.

Ai thekson se kërkojnë fitoren për ta siguruar vendin e dytë.

“Me liderin e kampionatit krejt çfarë është më rëndësi se do të jetë ndeshja më interesante e kampionatit, sepse Trepça ‘89 tani e ka siguruar titullin dhe luan e pangarkuar, sikurse edhe ne për prestigj. Ne kemi punuar maksimalisht gjatë javës dhe ekip është i motivuar që të paktën futbollit të Kosovës t’i dhurojmë spektakël në fund të kampionatit. Ne vazhdojmë t’i kemi mungesat e njëjta, por jemi munduar t’i rikuperojmë ato dhe shpresojmë të funksionojnë sikurse me Feronikelin, fitore që do të na siguronte vendin e dytë në klasifikim”, ka thënë shefi i shtabit teknik, Arsim Thaqi, për ‘prishtinafc.com’.

Edhe kapiteni Armend Dallku beson në vendin e dytë, duke thënë se me mobilizim maksimal të të gjithëve do t’ia dalin ta mposhtin 89-shin.

Prishtina vazhdon të ketë mungesa, si portieri Alban Muqiqi, Ahmed Januzi, Endrit Krasniqi dhe Gentrit Begolli.