‘Shpërthejnë’ tifozët e Ferizajt, kërkojnë largimin e Tovërlanit (FOTO)

Tifozët e Ferizajt nuk mund durojnë më rezultatet e Ferizajt. Sipas tyre, edhe këtë edicion po vazhdon kënga e vjetër, një vit në Superligë, një vit në Ligën e Parë.

Përmes komenteve të ndryshme në faqen zyrtare të klubit në Facebook, shumica e tyre kërkojnë dorëheqjen ose shkarkimin e trajnerit, Afrim Tovërlani, raporton Gazeta Olle.

Ka edhe të atillë që mllefin për rezultatet e shprehin edhe tek kryesia, e disa edhe tek lojtarët.

Pas 14 javësh, Ferizaj gjendet në pozitën e parafundit me vetëm 11 pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur se sa skuadrat tjera.

Tri fitore, dy barazime dhe tetë humbje është bilanci i tyre. Prej tetë humbjeve, pesë i kanë pësuar në shtëpi.

Arsyetimi i Tovërlanit pas ndeshjeve është se kanë filluar me vonesë përgatitjet dhe se nuk kanë pasur mundësi të marrin lojtarët më të mirë, pavarësisht se në skuadër afroi 11 lojtarë, kurse pas fillimit të kampionatit mori edhe të njohurin, Mentor Mazrekaj. /Gazeta Olle/

doreheqje