Rrëfimi i Qorrmehmetit, menaxherit të cilit ia panë hajrin shumë futbollistë shqiptarë

Nëse ka një menaxher shqiptar që mund të quhet më i suksesshmi në këtë vit që po lemë pas absolutisht që është emir i Shkumbin Qormemetit. Me origjinë nga Dibra e Madhe, menaxheri në fjalë zbulon në këtë intervistë 360 gradë për ne, të gjitha ato që i ndodhën këtë vit dhe sigurisht që shitjet e Olainkës, Berishës, apo futbollistëve të kombëtares, Balaj, Roshi, Llullaku, janë për të suksesshme, pa harruar kalimin më të shtrenjtë të tij nga Rostovi te Lazio, ai i Bastos. Ja intervista e plotë (dhënë për Sport Ekspres) ditën e djeshme nga Vjena e Shkumbin Qormemetit. 

Për ta nisur bisedën tonë, si po e mbyll si menaxher vitin 2016 Shkumbin Qormemeti?

Mund të them që ka qenë një vit me një axhendë shumë të ngjeshur për mua si menaxher. Me shumë bisedime të lodhshme dhe me shumë tratativa. Sidomos vera e këtij viti ka qenë më e ngjeshura dhe tani që po mbyll 2016-ën mund të them që ka qenë edhe i suksesshëm, por shpresoj që edhe këto transferta të fundit të këtij viti t’i mbyll me sukses.

Keni bërë lëvizje të bujshme. Mund të na zbuloni disa dhe cila është shitja më e rëndësishme për ju?

Çdo transfertë jep kënaqësinë e vet dhe këtë vit kanë qenë vërtet të shumta. Duke e filluar nga mbyllja e transaksionit që bëra me lojtarët e Skënderbeut, Bernard Berisha dhe Peter Olainka. Por nuk duhet të harroj edhe për lëvizjet që bëra me futbollistët e kombëtares, si Balaj, Roshi dhe Llullaku. Edhe ajo e Bastos, mbrojtësi që kaloi nga Rostov te Lazio. Të gjitha më japin një sadisfaksion, atë të suksesit.

Cilat kanë qenë hapat e para tuaja. Si jeni futur në fushën e menaxhimit?

Dua ta nis me atë që jam me prejardhje dibran (Dibra e Madhe) dhe kam përfunduar Universitetin e Sportit në Shkup, ndërsa masterin e biznesit në Vjenë. Më pas i jam futur kësaj fushe dhe duhet të kalonin shumë vite për të ardhur te sukseset e sotme.

Sa futbollistë keni ju si menaxher dhe mund të na i thoni emrat e tyre?

Agjencia jonë, pasi edhe unë jam pjesë e një agjencie, përmban shumë futbollistë dhe është një kohë e gjatë të përmendësh emrat e tyre. Këta lojtarë në fillim vëzhgohen. Janë vërtet të shumtë lojtarët që kemi në kompani.

Duke parë këtë sukses kaq të madh, mendoni se në të ardhmen do të shtohen radhët e lojtarëve që do ju kërkojnë?

Çdo sukses i lojtarëve që shet, të hap derën te klubet dhe të çon emrin si agjent. Domethënë suksesi i lojtarit rrit vlerat në profesionin tonë.

Mund të na zbuloni me cilin prej lojtarëve që ju keni është më e vështirë të punosh dhe përse?

Me të gjithë është e vështirë ta bësh një gjë të tillë, por unë e thashë që gjithçka është në dorën e tyre dhe të gjithë janë të vështirë, dhe po të gjithë nganjëherë ta bëjnë punën edhe më të lehtë.

Sa futbollistë keni në Superiore? Keni bërë ndonjë lëvizje në kampionatin shqiptar, pasi jashtë vendit tashmë na e thatë?

Vitin e kaluar kam qenë shumë i angazhuar në Superiore dhe e shoh realisht që në Europë mund të jenë frutdhënës. Dua të ngre vlerat e Superiores, pasi të tilla janë dhe ju e keni parë që ka shumë lojtarë, të cilët kanë shkëlqyer kur shkojnë jashtë.

Bernard Berisha flitet që është lëvizja më e fundit e juaja në këto ditë të fundit dhe që ka kaluar te Terek Grozni për 2.5 milion euro. Komenti juaj?

bernarddd

Të gjitha lëvizjet për këtë futbollist janë bërë, por akoma se kemi mbyllur zyrtarisht. Do të jetë një kalim që të gjithë e prisnim, pasi Berisha po tregonte vlera të mëdha në Rusi dhe e kërkonin disa ekipe. Është futbollist energjik dhe shpërthyes në fushë në çdo moment. Do të jetë një tjetër sukses për ne si agjentë dhe për vetë futbollistin.

Jetoni në Vjenë, por shumë ditë në vit jeni edhe në Shqipëri…

Ma do puna të jem kudo nëpër Europë. Sigurisht ne nuk kemi një “shtëpi” siç i thonë ndryshe. Shkumbin Qormemeti është atje ku e do puna, madje edhe në Shqipëri, po, kam qenë shumë herë.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me presidentët e Superiores ? Me Takajn në veçanti dukeni se keni më shumë afrimitet…

Po, është e vërtetë që kam kontakte shumë të ngushta me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, por ju them që kam një respekt maksimal për të gjithë presidentët e Superiores. Kjo, pasi investimi i tyre në Superiore rrit nivelin e futbollit dhe interesin për lojtarët shqiptar. Absolutisht që i falënderoj të gjithë për atë që japin dhe i uroj në këtë fundvit.

Mund të na thoni diçka për kampionatin? Kryeson Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu e ndjekin nga prapa…

Unë jam profesionist në zanatin tim që kam dhe nuk flas dot, ose nuk më takon të flas se kush e fiton kampionatin këtë sezon dhe kush renditet në vendin e dytë apo me radhë. Por, mund të parashikoj që do të jetë një garë shumë e fortë dhe e vështirë mes Skënderbeut, Kukësit dhe Partizanit.

Do të sillni lojtarë në këtë merkato dimri në Superiore?

(Qesh). Të shohim, por unë kryesisht punoj me lojtarë për jashtë. Gjithsesi, asgjëje nuk i dihet dhe sapo ka nisur edhe merkatoja.

Liridon Latifi, sa larg Skënderbeut është dhe ku do ta çoni këtë futbollist në Europë?

liridoni

Sikur e dinë të gjithë, në fundin e merkatos verore, madje në momentin më limit të saj u prish edhe marrëveshja e klientit tim Liridon Latifi me skuadrën ruse Rostov. Shkaku ishte se në atë kohë dhanë dorëheqjen drejtori dhe trajneri i Rostovit dhe ishte paksa dëshpëruese për Latifin. Mirëpo Latifi është ndër futbollistët më të mirë të Superiores dhe jam i bindur dhe i sigurt që ka një të ardhme të madhe.

Me kaq shumë punë që keni ju, ju del koha të qëndroni pranë familjes?

Profesioni ynë është shumë i lodhshëm dhe gjatë gjithë kohës larg familjes. Mirëpo unë kam mirëkuptimin e familjes sime dhe kjo ma bën edhe më të lehtë këtë punë që bëj.

Për të folur pak për synimet tuaja për vitin 2017, mund të na i zbuloni?

Të presim 2017-ën atëherë, sepse edhe vetë Viti i Ri nuk e di çfarë do të sjellë.

Jeni ndër menaxherët më të suksesshëm shqiptarë. Keni ndonjë bashkëpunim, ose ju kanë kërkuar të bashkëpunoni?

-Unë e theksova edhe më sipër, që ne jemi një agjenci dhe të gjithë punojmë në mënyrë të veçantë. Bashkëpunime ka mes klubeve, sepse vetë puna na e do diçka të tillë.

Shkumbin, me këtë punë që bëni jeni i pasur apo…

Normalisht që ky biznes përveç sadisfaksionit shpirtëror të jep edhe atë financiar, që të mundëson të investosh në projekte të tjera. Nuk dua të them që jam më i suksesshmi, apo më i miri, sepse unë bëj vetëm punën time dhe puna më pas jep edhe rezultatet. Me pak fjalë jemi kurdoherë me “këmbë në tokë”.

Së fundi, një urim në këto ditë festash të fundvitit?

Së fundi, ju dëshiroj një vit të mbarë shqiptarëve kudo që janë, shëndet dhe suksese të gjithë futbolldashësve, Federatës Shqiptare dhe gjithë ekipeve të Superiore. Dhe së fundi shpresoj shumë të përsëriten sukseset e kombëtares kuqezi. Gëzuar, nga mot gëzuar!