Ilir Avdyli “heroi i heshtur” i Kamzës

Kamza është vetëm një hap drejt mbijetesës në Superligë. Pas fitores kundër Flamurtarit dhe humbjes së Vllaznisë ndaj Partizanit, tashmë kamzalinjtë shkojnë në 5 pikë më shumë se shkodranët në renditje.

Një ndër lojtarët që ka shkëlqyer te Kamza gjatë javëve të fundit është edhe portieri Ilir Avdyli.

27-vjeçari ka bërë disa pritje vendimtare, sidomos në takimin kundër Vllaznisë, kur Kamza barazoi pa gola në Shkodër.

Avdyli ishte vjet pjesë e Shkëndijës së Tetovës, ndërsa para se të transferohej te skuadra shqiptare që militon në kampionatin e Maqedonisë, ai ka luajtur edhe për Tiranën.

Por, te të dyja këto skuadra, Avdyli nuk pati hapësirat e nevojshme për të treguar vlerat e tij. Te Kamza këtë sezon, 27-vjeçari ka shkëlqyer, duke qenë kokulur, i bindur dhe i durueshëm për të pritur çastin e tij.

-Fitorja ndaj Flamurtarit ka rritur shanset për Kamzën që të qëndrojë në Superligë. Si është pritur kjo fitore në skuadër dhe si ka qenë atmosfera pas ndeshjes?

-Ndeshja me Flamurtarin ishte deçizive për ne dhe kemi qenë të vetëdijshëm për forcën e kundështarit. Por shpirti i garës dhe angazhimi i të gjithëve ne, ishte maksimal dhe ia arritëm qëllimit për të marrë tri pikët. Kjo fitore u prit mjaft mirë dhe atmosfera në ekip është shumë pozitive dhe optimiste. Te Kamza ekziston një frymë pozitive gjithmonë, sepse të gjithë janë profesionistë dhe djem të shkëlqyer.

 

-Ju duhet vetëm 1 pikë për të mbijetuar, do ta siguroni këtë sukses që në sfidën e radhës kundër Laçit?

 

-Ne nuk e kemi siguruar akoma mbijetesën, por vetëm sa ia kemi lehtësuar gjërat vetes. Kemi edhe dy ndeshje me kundështarë të fortë që luajnë për Europën. Ne nuk do të synojmë thjesht një pikë, por ashtu siç kemi bërë edhe në përballjet e shkuara, do të kërkojmë maksimumin.

-Si ka qenë kjo periudhë për ju në aspektin personal, ku pas rikthimit në Superligë, tashmë jeni kthyer në protagonist, këtë herë me Kamzën?

-Në aspektin personal, kjo periudhë ka qenë mjaft e mirë. Që në fillim isha shumë i kënaqur me punën në ekipin e Kamzës dhe si rezultat i atij serioziteti në punë ka ardhur edhe forma e mirë në momentet më të rëndësishme të kampionatit.

-Keni qenë “heroi” i Kamzës në ndeshjet e fundit, sidomos në takimin kundër Vllaznisë dhe Flamurtarit…

-Mendoj se te ekipi i Kamzës janë heronj të gjithë futbollistët që dhanë shpirtin në fushë në ndeshjet vendimtare, po ashtu dhe stafi e presidenca që na krijuan kushtet për ta ndjerë veten komodë dhe të mendojmë vetëm për ndeshjet qe kemi.

-Keni qenë pjesë e Tiranës, por pa pasur shumë mundësi që të tregonit aftësitë tuaja dhe më pas i Shkëndijës së Tetovës. Tani vjen radha e Kamzës ku jeni kthyer në protagonist në Superligë. Me sa duket ka rezultuar vendimi i duhur për të zgjedhur Kamzën?

-Te ekipe si Tirana apo Shkëndija e Tetovës, mendoj se për një portier që vjen nga një kampionat si ai i Kosovës është vështirë të gjesh hapësirat e duhura, sado cilësor që je, sepse fanella e tyre peshon shumë dhe kanë frikë që portën t’ia besojnë një portieri akoma të pa konfirmuar në kampionatet përkatëse. Kurse te Kamza m’u dha mundësia dhe koha vërtetoi se ishte e drejtë.

-Sa i përket Tiranës, vitin tjetër do të jenë sërish në Superligë. Ndonjë mesazh për ish-ekipin tuaj?

-Tirana është një e kaluar të cilën e kam jetuar në çdo moment dhe kam shijuar çdo çast sa isha pjesë e asaj skuadre. I përgëzoj për rikthimin në Superiore.

-Keni vendosur çfarë do të bëni sezonin e ardhshëm, do qëndroni te Kamza?

-Për momentin nuk e mendoj të ardhmen, sepse jam i fokusuar që Kamza ta mbyll çështjen e mbijetesës. Kam kontratë me Kamzën edhe për sezonin e ardhshëm. Ndihem shumë mirë këtu. /VipSport/