Fjalimet drithëruese për Astorin: Kishte dhuntinë e gjuhës universale të zemrës!

Mes lotësh, Marko Astori, vëllai i Davide Astorit, ka dashur të lexojë një mesazh gjatë ceremonisë mortore: “Ju falënderoj që keni ardhur dhe në këto ditë të vështira keni treguar sa shumë e keni dashur Daviden tim. Nuk kam shumë fjalë. I thosha gjithmonë se kur jepte intervista, thoshte të njëjtat gjëra, kështu që po bëj të njëjtën gjë edhe unë. Një përqafim Françeskës, Vitorias dhe të gjithëve. Lamtumirë Davide”.

Në këtë ceremoni ka folur edhe Milan Badelj, lojtari i Fiorentinës, i cili u shpreh: “Do të flas shkurt, siç do të pëlqente ty. David në gjuhën ebraike do të thotë “i çmendur”. Shumë mbretër kanë pasur emrin tënd dhe, duke parë gjithë këta njerëz që kanë ardhur këtu për ty, besoj se ky është emri i duhur për ty.

Davide, ti je i thjeshtë. Me vështrimin tënd hyn brenda personave. Je ai që edhe pse nuk i njeh të gjitha gjuhët, arrin të flasësh me të gjithë. Ke folur gjithmonë me zemër dhe na ke mbajtur të bashkuar. Ke dhuntinë e gjuhës universale të zemrës.

Prindërit e tu duhet të dinë se nuk kanë gabuar asgjë me ty. Je biri dhe vëllai që gjithkush do të donte të kishte. Je shoku më i mirë, që gjithkush do të donte të kishte. Nuk harrohen të qeshurat e tua dhe shakatë me të gjithë ne. Ti je futbolli, ai i  pastër i fëmijëve. Të gjithë ne kemi për detyrë të tregojmë kush është Davide”, shkruan “Vipsport.al”.