28 vjet më parë u themelua Komiteti Olimpik i Kosovës, kryetar ishte zgjedhur politikani i njohur

27 maji i vitit 1992 është një tjetër datë e rëndësishme për sportin tonë. Me këtë datë u themelua Komiteti Olimpik i Kosovës.

Përfaqësues të federatave sportive, kishin vendosur të mbajnë mbledhjen konstituive për themelimin e KOK-ut. Mbledhja ishte mbajtur në objektin e Rilindjes në Prishtinë, në të cilën vepronte gazeta e përditshme “Rilindja”.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, kujton themelimin e institucionit më të lartë sportiv në Kosovë dhe ata që i thanë jo regjimit serb.

“Pas vendimit për t’u ndarë institucionet sportive të Kosovës nga ish-regjimi serb, i erdhi radha konstituimit për formimin e KOK-ut në vitin 1992. Prej muajit maj 1991 filluan aktivitetet sportive të federatave dhe pas një viti përfaqësuesit e federatave janë tubuar në Kuvendin Themelues të mbajtur më 27 maj 1992, ku themeluan Komitetin Olimpik të Kosovës, si dhe zgjodhën kryesinë e re”, thotë presidenti Hasani.

“Anulimi i dhunshëm i Kushtetutës së Kosovës kushtëzoi organizimin vetanak të popullit të Kosovës. Pothuajse paralel me organizimin e arsimit, edhe komuniteti i sportit mori masat dhe filloi mëvetësimin e sportit të Kosovës nga sistemi serbo-jugosllav. Nismëtar ishte Ali Latifi. Asnjë klub nuk merrte pjesë në garat që i organizonte regjimi serb në Kosovë, por ato u organizuan në federatat përkatëse, të cilat udhëhiqeshin nga kryesitë (Bordet) e federatave, të cilat u formuan nga përfaqësuesit e klubeve përkatëse”, ka shtuar më tej presidenti Hasani.

28 vjet më parë, pjesëmarrësit në Kuvend, me vota të fshehta zgjodhën kryesinë prej nëntë anëtarësh, kurse me aklamacion detyra e kryetarit iu besua, Veton Surroit, veprimtar i shquar politik.

Bordi i parë Ekzekutiv i KOK-ut kishte këtë përbërje: Veton Surroi – president, Behlul Brestovci – nënkryetar, Muhamet Berisha – sekretar i përgjithshëm, Mentaz Allajbegu – anëtar (mundje), Esat Stavileci – anëtar (basketboll), Burim Hatipi – anëtar (gazetar), Aziz Salihu – anëtar (boks), Fahri Buçinca – anëtar (hendboll), Hysen Rakovica – anëtar (atletikë).

Anëtarë nderi u zgjodhën: Dr.Ibrahim Rugova, prof.dr. Pajazit Nushi, ing.Nazmi Mustafa dhe prof.Halim Hyseni, ndërsa Këshillin Mbikëqyrës e përbënin: Ismail Hyseni, Bedri Hamza dhe Adem Fejzullahu.

“Pas këtij akti solemn të themelimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, u tha se sa e këndshme do të jetë dita kur sportistët kulminantë kosovarë, në vend të afirmimit të një krijese artificiale shtetërore që quhej Jugosllavi, në shfaqjet sportive ndërkombëtare dhe në Lojërat Olimpike do të luftojnë për afirmimin e vendit të vet – shtetit më të ri në Ballkan, Kosovës”, kishte shkruar gazetari i gazetës Rilindja, Musa Alaj.

22 vjet më pas, pas shumë përpjekjeve, saktësisht më 9 dhjetor 2014, KOK u bë anëtar me të drejta të plota i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.