Yll Hoxha komenton kalimin në gjysmëfinale, ka kritika për gjendjen e fushës!

Feronikeli sot ka marrë një fitore të madhe duke arritur të kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll, trofe ky shumë i dëshiruar për skuadrën e “Niklit” e cila për herë të dytë radhazi është duke e kërkuar daljen në garat evropiane, shkruan Zëri.info.

“Nikli” në takimin çerekfinal e mposhti pa shumë probleme Lirinë 0:2 anipse fitorja erdhi në momentet e fundit pasi deri në minutën 88-të rezultati ishte 0:0, por mysafirët duhet pranuar që deri në ato momente shpërdoruan shumë raste.

Njëri nga futbollistët kyç të “Niklit” Yll Hoxha ka thënë se fitorja ishte e vështirë dhe punën e tyre më të vështirë e bëri fusha shumë e keqe në stadiumin “Përparim Thaqi”.

“Ishte ndeshje realisht e vështirë sidomos në atë fushë sintetike e cila është shumë e dëmtuar dhe shumë e fortë”, ka thënë Yll Hoxha i cili këtë fitore e ka cilësuar vetëm si një detyrë e kryer më sukses, duke mos thënë nëse Kupa është prioritet.

“Ne thjesht vazhdojmë ta bëjmë punën tonë”, ka përfunduar mbrojtësi prishtinas i Feronikelit.