Sonte në Ferizaj luhet ndeshja e Ligës së Kampionëve

Kampioni i Kosovës në volejboll, klubi i volejbollit Luboteni, do ta provojë sonte për herë të parë Ligën e Kampionëve të volejbollit.

Ferizajasit do të debutojnë në këtë kompeticion prestigjioz me përballjen që do ta kenë sonte nga ora 17:00 me kampionin aktual holandez, Abiant Lycurgus, në kuadër të rrethit të dytë të këtij evenimenti, në ndeshjen që do të zhvillohet në Ferizaj.

received_10156028511213641

Drejtuesit e Lubotenit shprehen skeptikë se mund ta eliminojnë kundërshtarin e fuqishëm, por zotohen se lojtarët do ta japin maksimumin për ta befasuar ekipin holandez.

Luboteni sezonin e kaluar ishte paraqitur në Challenge Cup, dy nivele më poshtë, ndërsa kjo është hera e parë që luan në Ligën e Kampionëve, të cilën sezonin e kaluar e kishin provuar, Peja tek meshkujt dhe Drita tek femrat.

Nga ana tjetër, trajneri Lycurgus Arjan Taaij ka thënë se nuk ka informata për skuadrën kosovare.

Megjithatë, ai kërkon nga lojtarët e tij që ta mposhtin Lubotenin në Ferizaj, e më pas edhe në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet pas një jave, më 26 tetor në Holandë.

“Nuk kemi shumë njohuri për kundërshtarin, por kemi parë video-xhirime dhe kemi hyrë më në thellësi për ta njohur më mirë Lubotenin”, ka thënë trajneri Taaij, i cili nuk do të mundë të llogarisë në volejbollistët Dennis Borst e Pascal Hoogstra.

Trajneri holandez synon që me ekipin e tij të kalojnë në rrethin e tretë të Ligës së Kampionëve.
Abiant Lycurgus e kishte fituar titullin e parë të kampionit në histori në sezonin 2015/16.
Në të njëjtën kohë e kishte fituar edhe Kupën e Holandës në volejboll.

Ndeshja në mes Lubotenit dhe Lycurgusit nga Groningeni do të zhvillohet në palestrën e sporteve “Bill Clinton”, në Ferizaj, dhe klubi i Lubotenit ka njoftuar se bileta për ta përcjellë këtë ndeshje është 2 euro.

Klubi kosovar i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë duel historik.