Skuadra e Ligës së Parë kryen obligimet ndaj futbollistëve: Pagat i’u jep të plota

Futbolli kosovar po vazhdon në javën e tretë të pezullimit, që prej vendimit të Qeverisë së Kosovës si shkak i koronavirusit.

Në këtë situatë skuadra e Drenasit që garon në Ligën e Parë të Kosovës ka njoftuar se gjitha pagat për stafin e klubit të tyre dhe futbollistët do të bëhen me kohë dhe të plota, përcjellë Gazeta Olle.

Më poshtë postimi i KF Drenasit:

Edhe pse kohë pandemie, KF Drenasi nuk harron obligimet ndaj lojtarëve

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha aktivitetet kulturore e sportive në Kosovë të ndërpriten deri në afat të pacaktuar për arsye kujdesi nga pandemia Covid-19, KF Drenasi e ka parë të arsyeshme që obligimet ndaj lojtarëve të kryhen me rregull dhe të plota.

Poashtu, duke ju përmbajtur rregullave dhe këshillave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, secili nga lojtarët është duke ndjekur individualisht stërvitjet me plan nga trajneri ku janë në kontakt të vazhdueshëm për çdo detaj.

Shpresojmë që kjo situatë pandemie të kaloj sa më shpejtë dhe t’i kthehemi normalitetit. Për këtë duhet të kontriboj secili, pra ju lutemi ndiqni këshillat nga IKSHPK për kujdes të shtuar.

Shëndet për të gjithë!