Vazhdojnë akuzat për biletat e ndeshjes Kosovë – Çeki

Stadiumi “Fadil Vokrri” me 13 mijë e 500 ulëse del të jetë tepër i vogël për masën e madhe të futbolldashësve në Kosovë. Vitin e kaluar, Policisë së Kosovës iu desh të intervenonte me gaz lotsjellës për të ndalur trazirat në mesin e pritësve për të blerë biletë. Por, gjërat kanë evoluar. FFK-ja e ka vendosur aplikacionin Tiks App, në të cilin secili qytetar me qasje në internet mund të blejë biletën për vete. Dhe këtu nisin dallaveret.

Për ndeshjen me Çekinë, një ndër më vendimtaret për Kombëtaren e Kosovës, FFK-ja njoftoi në mëngjesin e 19 gushtit se biletat do të dilnin në shitje ‘pasdite’ pa specifikuar orën e saktë. Një qasje e tillë joprofesionale e joserioze bëri që një pjesë e madhe njerëzish të mbeteshin konfuzë dhe ta gjenin veten pa biletë duke lexuar lajmin se “të gjitha biletat ishin shitur për 15 minuta”.

FFK-ja ndërkohë, duke u krekosur tha se kishte pasur 1 milion e 870 mijë kërkesa për bileta. Kjo ndoshta për ta bërë ‘pazarin’ e shitësve ilegalë edhe më të frytshëm.

Ende nuk dihet saktë se kur është hapur mundësia e blerjes së biletave, por ajo që dihet është tepër tepër e errët.

Shumë blerës biletash qëlluan dallaveraxhi të rryer. Në platformat si ‘MerrJep.com’ dhe të ngjashme, tashmë kanë nisur të shiten me shumicë e me pakicë biletat për këtë ndeshje, proces ky që ngre dyshime serioze për kurdisje.

Një shitës i kontaktuar nga Periskopi thotë se ai kishte “më shumë bileta se që kishim ne para”. Në mënyrë që të mos dëfteheshim si gazetarë, i kërkuam 30 sosh dhe shitësi në fjalë s’e kishte aspak problem të na siguronte ato.

I njëjti shitës, i njohur për redaksinë tonë, del se ka fotografi në profilin e tij në një medium social me trajnerin e Kosovës, Bernard Challandes dhe futbollistët Arbër Zeneli, Herolind Shala e Valon Berisha. Babai i tij rezulton të jetë një ish zyrtar policor në Policinë e Kosovës.

Për më tepër, në një fotografi që nuk mund ta zbardhim, i njëjti rezulton të kishte blerë në emrin e tij dhjetëra bileta. Nuk dihet pse atij i është mundësuar një gjë e tillë duke e ditur se një qytetari të rëndomtë nuk i lejohet të jetë posedues i më shumë se një bilete në aplikacionin TiksApp.

Por, përveç këtij shitësi që shet dhjetëra e ndoshta qindra bileta, kemi edhe shumë të tjerë të ngjashëm që e tregtojnë dashurinë e tifozëve për kombëtaren.

Siç mund ta shohim në ‘skrinshotin’ më sipër, çmimi i biletave ndryshon në varësi të pozicionit të tribunës. Biletat e 5 eurove shiten vetëm katërfish më shtrenjtë, domethënë 20. Por, ka edhe të tjera që shiten për 40 e më shumë. Biletat e tjera ndërkaq shkojnë prej 80 e deri në 150 euro.

Por natyrisht, ajo që e shohim është veç një fragment i vogël i kësaj të vërtete të zezë.

Periskopi ka kontaktuar edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës por të cilët deri tash nuk kanë kthyer asnjë përgjigje për të sqaruar nëse janë të vetëdijshëm për këto shitje ilegale.