Selimi: Këto janë planet e gjermanëve me KEK-un, në ekip zbulova super-futbollistë

Klubi i futbollit KEK-u nga Obiliqi, në këtë edicion ka bërë një organizim krejtësisht ndryshe nga vitet e kaluara.

Në klub kanë ardhur investitorë nga Gjermania derisa janë bërë edhe ndryshime në skuadër.

Drejtimin e ‘Elektricistëve’ e ka marrë trajneri Musa Selimi, i cili njihet si trajner tejet punëtor.

Në tetë ndeshjet e para nën drejtimin e Selimit, KEK-u ka arritur po aq fitore derisa takimi i fundit ndaj Vllaznisë së Pozharanit, u regjistruan në tavolinë në favor të Vllaznisë.

Selimi flet për aventurën te KEK-u në një intervistë për Gazetaolle.com. “Në momentin që kam shkuar në klub, pas tre-katër stërvitjeve, duke e parë përkushtimin e tyre iu jam drejtuar me fjalët që ju jeni ekipi më i mirë në këtë rang garash, duke ne parë nivelin e tyre teknik dhe të përgatitjes dhe sigurisht se është meritë edhe trajnerëve që kanë punuar më herët. Por, edhe unë kam futur në ekip disa lojtarë që nuk kanë luajtur më herët e të cilët po shkëlqejnë. Është fjala për Endrit Hashanin që po shkëlqen në ndeshjet e fundit, një futbollist ‘alla Gattuso’ dhe Torviol Stolqakun, i cili po mahnit me gola dhe asiste. Është bërë një komponim i skuadrës, një homogjenizim dhe po mbretëron një atmosferë shumë e shëndosh duke e ditur se edhe donatorët po na qëndrojnë afër më mjete”, ka thënë Musa Selimi për Gazetaolle.com.

Tutje, Selimi është ndalur edhe te investitorët gjermanë. “Investitorët gjermanë kanë plane afatgjate në klub. Do ta instalojnë planin gjerman me kategori të reja që nga stinori i ardhshëm. Do të ketë risi të reja madje edh turne në Gjermani”, shtoi Selimi.

Ai foli edhe për rivalët kryesor të KEK-un për inkuadrim në Superligë.

“Flamurtari, Vëllaznimi, Dukagjini i Klinës, Fushë Kosova dhe KEK-u janë kandidatët kryesor për të hyrë në ligë”, potencoi Musa Selimi duke folur edhe për përforcimet. “Jam në negociata me pesë futbollistë dhe  pres që të kryejmë marrëveshjet me ta”, përfundoi Musa Selimi.

KEK-u aktualisht zë vendin e katërt me 23 pikë të tubuara, katër më pak se lideri Flamurtari. /Olle