Reagojnë futbollistet e Drenicës, tregojnë problemin e madh se përse bojkotuan ndeshjen ndaj Feronikelit

Dje në futbollin kosovar është arritur një rezultat i çuditshëm, 40:0.

Skuadra e vashave të Feronikelit mposhti Drenicën me rezultatin e lartë cekur, shkruan Gazeta Olle.

Por e gjithë kjo kishte edhe një “fatkeqësi”, sepse vashat e skuadrës së parë të Drenicës këtë ndeshje e bojkotuan shkaku që mungon përkrahja financiare ndaj tyre.

E ato që zhvilluan ndeshjen ndaj Feronikelit, ishin futbollistët e reja të Drenicës të gjeneratave 2005/06, të cilat janë pjesë e këtij klubi, e që kapaciteti i tyre të përballje ndaj një skuadre seniore ishte i vogël.

Futbollistet e reja të Drenicës që dje kanë luajtur ndaj Feronikelit.

Në redaksinë e “Olle” sot ka ardhur një komunikatë nga futbollistët e ekipit të parë të Drenicës ku sqarohet arsyet pse nuk kanë zhvilluar takimin ndaj Feronikelit.

“Jemi vajzat e Klubit Futbollistik Drenica (femrat) dhe ne si ekip startues kemi vendosur që loja me ekipit e vajzave të KF Feronikeli të mos luhet nga ne ekipi startues. Arsyeja ka qenë sepse vajzat që sot e tri vite nuk kanë marrë asnjë ndihmë as nga kryesia, Komuna e Skenderajt, e as nga Federata e Futbollit të Kosovës. Shkaktari i gjithë kësaj kauze nuk e dimë as ne, por një gjë e dimë qe tri vite ne nuk kemi përkrahjen e askujt me as një cent ndihmë për vajzat e Drenicës. Jemi përballur me të gjitha stinët e vitit duke udhëtuar me nga 15 km, duken lënë edhe shkollën anash, pra e gjithë kjo ishte veç dashuria për futbollin. Na është premtuar disa herë nga kryesia e klubit dhe nga kryetari i komunës por të gjitha këto premtime boshe. Disa vajza në moshë të re të ekipit kanë shprehur dëshirën për të luajtur kundër klubit të Feronikelit të cilat janë në moshë shumë të re, pra të vitit 2005-2006 dhe rezultati pra shihen ndaj vajzave të Feroniklit të cilat kanë provojë shumë vjeçare, pra me moshë madhore. Vajzave të Feronikelit ju urojmë suksese sepse kanë pasur përkrahjen e gjithë qytetit të Drenasit na kryetari i komunës dhe respekt shumë të madh për kryetarin e tyre Naser Ramaj, për përkrahjen që ka bërë për vajzat e Drenasit. Pra ky le të jetë shembull për gjithë klubet të Kosovës, sidomos për DRENICEN. Ne si shoqe jemi shumë të zhgënjyera edhe ju drejtuam juve sepse ne si klub i Drenicës nuk jemi të përkrahura nga asnjë institucion”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ekipi i parë i Drenicës të cilat bojkotuan ndeshjen.

Tutje, njëra nga futbollistët e Drenicës në kushte anonimi tha se atyre i është premtuar nga kryesia e klubit që borxhet ndaj tyre do të shlyhen nga xhiro e katërt por që ashtu nuk ka ndodhur andaj kanë vendosur që t’i bojkotojnë si stërvitjet ashtu edhe ndeshjet./GazetaOlle