Prishtina në dy frone? Flet Armend Thaqi

Me 18 maj Ministria e Shëndetësisë mori vendim që klubet e Superligës së Kosovës në futboll mund të rikthehen në stërvitje të plota dhe kampionati të vazhdoj aty ku ka mbetur.

Më ta marr lajmin e lejimit të stërvitjeve në grup, klubi i Prishtinës nuk humbi shumë kohë dhe po atë ditë filloi stërvitjet në grup në fushën me bari sintetik në Bernicë.

Pas vendimit të MSH-së, FFK-ja doli me komunikatë, ku caktoi 7 qershorin si datë të rinisjes se kampionatit.

Futbollisti dhe kapiteni i skuadrës së Prishtinës, Armend Thaqi në një intervistë për Gazetën inFokus ka folur për rifillimin e stërvitjeve në grup, për fazën përgatitore, për vazhdimin e kampionatit si dhe garën për titull.

Thaqi ka thënë se stërvitjet po shkojnë mirë edhe pse me ritme të larta.

“Stërvitjet kanë filluar shumë mirë dhe po vazhdojnë me ritëm shumë të mirë me disa ngarkesa me të larta që janë normale”, tha fillimisht Thaqi.

Mbrojtësi i Prishtinës mendon se tri javë fazë përgatitore nuk janë të mjaftueshme.

“Pas gjithë asaj pauze mendoj që tri javë fazë përgatitore nuk janë të mjaftueshme, mirëpo këto janë mundësit dhe ne duhet me u përball me to”, u shpreh kapiteni i kryeqytetasve.

27 vjeçari shpreson që të gjitha klubet të rezultojnë negativ në testet e koronavirusit.

“Shpresoj që gjitha klubet të dalin negativ në testimet për ‘Covid-19’, e pastaj ne duhet ti respektojmë rregullat që na janë dhënë për të qenë të sigurt dhe ta përfundojmë kampionatin në fushë, sepse do ishte me e drejt dhe me morale për të gjithë”, deklaroi ai.

Për fund Thaqi tha se do të luftojnë për të dy trofetë.

“Ne do të luftojmë deri në fund për të dy trofetë, sepse jemi në garë dhe do japim maksimumin për ti fituar, sepse kemi kapacitet për ta bërë. Shpresojmë që me ‘Plisat’ në fund të festojmë dhe ti gëzojmë edhe ata pas shumë viteve”, përfundoi Armend Thaqi.

Pas 22 xhirove të zhvilluara, skuadra e Prishtinës renditet e katërta me 41 pikë, tri me pak se Ballkani që kryeson.

Kryeqytetasit gjithashtu janë edhe në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, ku do të takohen me Drenicën.