Ndarja e Munishit me Prishtinën, trajnerët e quajnë amatore kryesinë e Prishtinës

Kushtrim Munishit ka marrë përkrahjen e kolegëve të tij, për mënyrën se si u largua nga klubi më i madh në vend, përkundër se rezultatetet e tij ishin tejet të mira.

Trajneri e drejtoi Prishtinën në gjashtë ndeshje, duke shënuar pesë fitore dhe një barazim.

Mirëpo, kjo nuk mjaftoi që bashkëpunimi të vazhdojë. Munishi kërkoi nga kryesia ta nënshkruante kontratën për të cilën ishin marrë vesh në fillim të muajit korrik të këtij viti, por ajo nuk ndodhi kurrë. Ai vendosi të mos e stërvisë skuadrën pa u vënë e zeza në të bardhë, derisa kryesia vendosi të gjejë zëvendësuesin e tij, për të emëruar drejtorin sportive, Lutz Lindemann, në postin e shtabit teknik. Gjermani që prej ardhjes së tij në kryeqytet, flitej se dita ditës do të bëhej trajner i skuadrës.

Ajet Shosholli, kryetar i Shoqatës së Trajnerëve Profesionistë, i del në mbrojtje Munishit.

“Mendoj që detajet i dinë dyja palët, por Kushtrim Munishi ka kërkuar diçka që duhet ta bëjë secili trajner kur arrin marrëveshje”, thekson Shosholli për Gazeta Olle.

“Ne si bord i Shoqatës i kemi preferuar që s’jemi vendimtarrës, por i kemi preferuar që kur të bëjnë marrëveshje ta bëjnë kontratën, pastaj në rast kontesti atëherë Bordi me FFK e shqyrtojnë atë. Me këtë rast, Kushtrimi ka vepruar si duhet, por pse nuk e kanë kontratën, detajet nuk i di. Madje, nuk e di përse është zgjatur kaq shumë, të shkojnë pesë ndeshje, ku pati rezultate shumë të mira, katër fitore dhe një barazim në kampionat”, shtoi trajneri i mirënjohur.

prishtina

Statovci: Kjo është totalisht amatorizëm i drejtuesve të Prishtinës

Edhe ish-futbollisti i mirënjohur, tani trajner, Faruk Statovci, çuditet me Prishtinën. “Kushtrimi ka plotësisht të drejtë, nëse veç I bëhet detyra e trajnerit, si mundet me qenë edhe me kryer punën pa kontratë. Kjo është totalisht një amatorizëm i drejtuesve të Prishtinës. Nuk është dashur të veprohet kështu me një trajner që i ka sjell në vendin e parë, me asnjë trajner, por kurrësesi me atë që ka suksese. Një klub si Prishtina, nëse vepron kështu, është shumë keq, Kushtrimi ka pasur të drejtë shumë, Prishtina e tregoi edhe një herë veten se janë larg profesionalizmit”, tha Statovci për Olle.

Nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi, gjatë një deklarate dhënë Kohës Ditore, ka treguar një version tjetër të kontraës.

“Ne i kemi ofruar Kushtrimit kontratën profesionale, e cila e obligon të qëndrojë në klub 7-8 orë në ditë, pasi lojtarët mund të kenë nevojë kurdo herë për trajnerin dhe kjo nuk është pranuar nga Kushtrimi”, ka thënë Muçiqi.

Munishi e la Prishtinën në vendin e parë me 13 pikë të tubuara, derisa këtë pozitë klubi bardhekaltër nuk e shijonte prej më shumë se dy vitesh.