Mbrojtësi i Gjilanit me trajner personal në bregdetin shqiptar

Franc Veliu rrëfen ditët e karantinës. Mbrojtësi vlonjat i Gjilanit në Superligën e Kosovës ka mbërritur prej dy javësh në qytetin e lindjes pranë familjes.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi që ka luajtur me Flamurtarin, Partizanin dhe Kukësin në kampionatin shqiptar, flet për ditët pa futboll, stërvitjen, ekipin vlonjat, por jo vetëm.

Ai mund të jetë futbollisti më me fat, pasi në këtë periudhë në stërvitjet individuale që bën shoqërohet nga trajneri Gentjan Mezani.

Ky i fundit drejton Gjilanin dhe ashtu si Veliu në këtë periudhë pas përhapjes së koronavirusit, ndodhet në Vlorë me familjen.

Franci, ku po i kalon këto ditë?

Kam 15 ditë që kam ardhur në Vlorë, sepse edhe në Kosovë është ndëprerë gjithçka.

A i zbaton rregullat, del nga shtëpia?
Po patjetër që dal, por gjithmonë brenda rregullave dhe kohës që është vendosur. Secili nga ne duhet t’i zbatojë rregullat me përpikmëri, ndryshe nuk fitohet kjo luftë.

Ku stërvitesh?
Stafi teknik na ka dhënë program të posaçëm për ta zbatuar dhe unë jam me fat, sepse këtu në Vlorë kam edhe trajnerin Mezani, me të cilin takohem shpesh. Stërvitem rregullisht në bregdetin e Vlorës, si dhe në një palestër private, të cilën e shfrytëzoj vetëm unë.

Gjilani është shpërndarë?
Në Kosovë, mesa kam informacion, gjendja është më pak alarmante edhe pse rastet janë të konsiderueshme. Ndërsa ekipi është shpërndarë.

Ka lojtarë që kanë mbetur në Kosovë?
Ka disa lojtarë që janë aktualisht në Kosovë si pasojë e mbylljes së kufirit, si dhe nga procedura e gjatë që kërkon karantinimi, pasi vjen nga një vend i prekur nga COVID-19. Gjithsesi të gjithë lojtarët stërviten individualisht.

Si mendon se duhet të jetë vazhdimësia e kampionatit në Kosovë dhe Shqipëri. Të përfundojnë ndeshjet e mbetura apo të shkohet me një formulë “play off”?
Kampionatet kudo duhet të përfundojnë, domethënë të vazhdojnë normalisht pas qetësimit të situatës, edhe pse mund të ketë ndeshje të ngjeshura në kalendar. Çdo gjë duhet të ketë vazhdimësi dhe normalitet.