Lum Zhaveli synon të thyejë një rekord personal në “RIO 2016″

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Urata Rama, Rita Zeqiri dhe Qëndrim Guri, e mbyllën përvojën historike në “Rio 2016”, derisa e enjtja është e rezervuar për notarin kosovar.

26 vjeçari thotë se është i gatshëm për sfidën që e pret. Ai do të garojë në 50 metra, stil i lirë, në garën që pritet të fillojë rreth orës 18:00. Lumi është i vetëdijshëm se do ta ketë shumë vështirë të fitojë eventualisht medalje në Olimpiadë, duke e parë konkurrencën e jashtëzakonshme atje. Sidoqoftë, ai nuk do ta fillojë garën me flamur të bardhë. Zhaveli ka për qëllim të ketë paraqitje sa më të mirë në Brazil, për ta bërë krenar vendin e tij dhe t’i tregojë botës se edhe Kosova ka sportistë që duhet të respektohen.

“Synim imi është arritja e rezultatit sa më të mirë sot dhe prezantimi i notit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Zhaveli për “Zërin”. Ai ndihet i lumtur që po e realizon ëndrrën, për të cilën thotë se ka punuar shumë gjatë karrierës.

“Çdo sportist në çdo moment ka synim pjesëmarrjen dhe arritjen e rezultateve kulminante në garat e nivelit ndërkombëtar, e posaçërisht në Olimpiadë. Për ne sportistët kosovarë, më shumë se dy dekada ka qenë e pamundur të jemi pjesëmarrës në këto ngjarje të mëdha sportive”, ka vazhduar notari kosovar.

“Kjo pamundësi e ka bërë edhe më të madhe dëshirën dhe përkushtimin tim që të jem pjesëmarrës në Lojërat Olimpike. Kjo më ka udhëhequr gjatë gjithë karrierës sime sportive. Tani ky synim u bë realitet, të jem anëtar i ekipit olimpik në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Olimpiadë dhe pjesë e historisë së re sportive të Kosovës”, përfundoi ai.

Zhaveli është njëri nga tetë garuesit kosovarë që po marrin pjesë në Olimpiadën e Rios, në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në këtë eveniment prestigjioz.