Ky është lojtari i vetëm i Superligës që ka luajtur çdo minutë këtë kampionat

Ka luajtur minimumi 2970 minuta në 33 ndeshje të edicionit 2015/16 të Raiffeisen Superligës.

Është i vetëmi futbollist në elitë që nuk ka munguar në asnjë ndeshje të këtij kampionati.

Ndërkohë, është ndëshkuar vetëm tre herë me kartonë të verdhë, ndonëse ka qenë bartës i mesfushës.

Fjala është për Arbios Thaçin e Drenicës, i cili ka pasur një edicion jashtëzakonisht të mirë në aspektin personal.

Gjithsesi, një statistikë e jashtëzakonshme për një 22-vjeçar që kishte përgjegjësi dhe presion të madh, pasi ekipi i tij ndodhet në barazh.

Thaçi mendon se përgatitja fizike dhe disiplina kanë qenë faktorët kryesorë që ai ka arritur këtë rekord.

“Mendoj që përgatitja fizike, pastaj disiplina në ndeshje dhe në stërvitje kanë ndikuar që unë të jem gjithmonë i gatshëm. I kam marrë vetëm tre kartonë të verdhë”, deklaroi Thaçi për Gazetën Sheshi.

Ai shpreson që ekipi i tij ta fitojë ndeshjen e barazhit për mbetje në Superligë ndaj Dukagjinit, derisa edhe aty pritet të regjistrojë një tjetër 90-minutësh, ndoshta edhe vazhdimet.