Jalla shofer, jalla…!

Genc Nuza viteve të fundit ka qenë ndër gjyqtarët më cilësorë në futbollin kosovar, mbase edhe më i miri. Me anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, Nuza tashmë ka nisur procesin e marrjes së statusit të gjyqtarit ndërkombëtar. Ai nuk e drejton mirë vetëm lojën e futbollit, por edhe veturën. Andaj, referi i njohur punon si shofer në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Genc Nuza viteve të fundit është bërë thuajse gjyqtari më i mirë në Kosovë. Madje, këtë epitet ia kishte dhënë edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Genci i drejton shumë mirë ndeshjet e futbollit, por jo vetëm ato.

Ai din t’i drejtojë perfekt edhe veturat.

Sikurse gjithë gjyqtarët tjerë nëpër botë, që krahas referimit e bëjnë edhe një punë tjetër, për mos t’u varur nga futbolli dhe për t’i ikur mundësisë së korruptimit, edhe referi i njohur kosovar është munduar të pavarësohet nga të ardhurat financiare të futbollit.

Nuza punon si shofer në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Ai shpeshherë është pjesë e delegacioneve që i kryeson edhe ministri, Kujtim Shala. “Nuk do ta ndaja asnjërin profesion. Janë dy profesione të kundërta me njëra-tjetrën. Në Ministri e kam përkrahjen maksimale të kolegëve, derisa referimi është ndjenjë tjetër, ndjenë e papërshkrueshme. Referimi është kënaqësia ime”, thotë Nuza në një bisedë me “Zërin”.

Duke e pasur referimin profesion për qejfi, ai preferon të flasë pikërisht rreth ndarjes së drejtësisë.

Zbulon disa principe të tij që i ka si gjyqtar. Thotë se është zotuar për t’i zbatuar në maksimum rregulloret që u takojnë gjyqtarëve, e të cilat është munduar dhe vazhdon përpjekjet për t’i mësuar sa më mirë që është e mundshme.

“Si gjyqtar e urrej rregullin e ndëshkimit të futbollistëve me kartonë”, thotë Nuza.

“Gjyqtar i mirë është ai i cili nuk vërehet në fushë gjatë një ndeshjeje të futbollit, duke e mbyllur lojën pa kartonë”, thekson ai.

Por, janë futbollistët që e detyrojnë t’i bie “bilbilit”.

“Unë gjithmonë nisem nga fakti se askush nuk është mbi rregulloren dhe atë duhet zbatuar. Ka raste kur kam dhënë kartonë të lehtë, por vendimin e marr me shumë vendosmëri. Mund edhe të gaboj”, thekson ai.

Ndërkombëtarizimi i Genc Nuzës

Pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA, këto të fundit kanë nisur ta ndihmojnë zhvillimin dhe profesionalizimin e futbollit kosovar, i cili deri më tani ka luftuar për ekzistencë. Në këtë proces do të përfiton edhe referimi.

Genc Nuza është njëri prej gjyqtarëve nga Kosova me të cilin tash e tutje do të kenë punë ndërkombëtarët.

“Tashmë ka një entuziazëm të ri te të gjithë ata që merrem me futboll. Të gjithë kemi përgjegjësi për punën të cilën e bëjmë në mënyrë që ta avancojmë sa më lart futbollin e Kosovës”, thotë ai. Nga viti 2017 Nuza do të drejtojë ndeshje ndërkombëtare. Për fillim do të delegohet te kategoritë e reja.

“Përzgjedhja ime nga ana e FIFA-s është lajmi më i mirë i karrierës sime. Më mbetet shumë punë dhe angazhim që të tregojmë se edhe Kosova ka shumë gjyqtarë cilësorë. Më këtë rast dua që t’i falënderoj edhe kolegët e mi pasi që pa ata nuk do të isha këtu ku jam sot”, potencon Nuza.

“Jam njeri që kur arrij diçka menjëherë filloj të kërkoj edhe më shumë. Ëndrra ime është që ta përfaqësoj vendin tim në gara të mëdha si në Kampionate Botërore apo Evropiane”, shtoi ai.

Referonte edhe pa pare

Kriza financiare kaherë e ka munduar futbollin kosovar, i cili vazhdon të përcillet akoma nga ky fenomen.

Përpos pagesave të ulëta, jo vetëm futbollistët, por edhe gjyqtarët shpeshherë nuk janë paguar.

Akoma ndodh që klubet të mos ua paguajnë djersën gjyqtarëve pas ndeshjeve, sidomos kur skuadrat vendase humbasin, e të cilave u bie barra e pagesave të gjyqtarëve. Nervozizmi nga humbja i qet prej kontrolli klubet, të cilat mendojnë se faj për humbje u kanë referët, të cilët në aso raste as që guxojnë ta kërkojnë hakun.

“Fatkeqësisht edhe mua më ka ndodhur të mos paguhem në ndonjë ndeshje. Ky fakt nuk është ndonjë tragjedi kur dihet se në futbollin tonë njerëzit kanë dhënë shumë para që mos të shuhet futbolli”, potencoi Nuza.

Loading...