Ish-mbrojtësi e padit Skënderbeun: 20 mijë euro borxhe nga kontrata që ka pasur me klubin

Gledi Mici padit Skënderbeun në FSHF për një borxh të pashlyer nga sezoni 2017- 2018, kur mbrojtësi i majtë ishte pjesë e korçarëve.

“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në klub, por gjithashtu edhe pranë lojtarit, se prej disa ditësh është depozituar një ankesë në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve.

Pasi ka pritur për një kohë të gjatë reagimin e drejtuesve të Skënderbeut, Mici përmes përfaqësuesit të tij ligjor i është drejtuar zyrës juridike në FSHF për të kërkuar respektimin e kontratës që skadoi në verën e vitit 2018. Gazeta zbulon se drejtuesit e klubit korçar kanë folur së fundmi me Micin dhe gjërat janë në rrugë të mbarë për arritjen e marrëveshjes.

Mirëpo, deri më tani nuk ka ende një konfirmim nëse lojtari do ta tërheqë padinë. “Panorama Sport” kontaktoi dje me Micin për të marrë një reagim lidhur me këtë çështje, por lojtari nuk preferoi të prononcohej, edhe pse la të kuptohej se ishte një çështje që po shkonte drejt zgjidhjes. Ndërkohë, mendohet se Mici pretendon një shumë prej 20 mijë eurosh nga kontrata që ka pasur me Skënderbeun.