Gugash Magani e ‘godet’ me këtë deklaratë pas ndeshjes, këtë futbollist

Trepça ’89 barazoi 1:1 me Dritën në “Riza Lushta” ndeshje e vlefshme për xhiron e 22-të në Vala Superligën e Kosovës.

Kryetrajneri i mitrovicasve, Gugash Magani, tha se lojtarët e tij kanë zhvilluar një ndeshje të mirë. Po ashtu tha se Otto John nuk po e jep nga vetja atë që duhet.

“Në fakt ashtu siç shkoi ndeshja në minutat e fundit kemi mundur edhe ta humbim ndeshjen. Mendoj se sot kemi zhvilluar një ndeshje të mirë normalisht ndeshja e mirë matet me gola. Kemi qenë afër me raste, dhe nuk është hera e parë, po këto raste na ndëshkuan edhe me Llapin në Kupën e Kosovës, këto raste na ndëshkuan edhe sot. Mora vendimin ta hiqja nga loja Otto John, lojtari që nuk po e jep atë që duhet, ka qenë goleadori i skuadrës vjet por sivjet nuk ka dhënë asgjë për skuadrën, kështu që normalisht vjen një moment dhe futet një djalë i ri i cili shënon gol. Unë mendoj se asnjë nuk është i paprekshëm gjithsesi jam i kënaqur me atë që dha skuadra në fushë, por në fund rezultati është ai që bënë baraspeshën. Mund të ju them që nuk është rezultat pozitiv për ne pavarësisht se kishim përballë një skuadër që ka eksperiencë dhe kualitet. Gjithsesi duhet të shikojmë tutje ndeshjet tjera dhe të vazhdojmë deri në fund.” tha Magani për SSK, përcjellë futbollikosovar.com.