Federata e Futbollit e Serbisë deponoi ankesën për Kosovën në Gjykatën e Lozanës

Ashtu siç kishin paralajmëruar, Federata e Futbollit e Serbisë, ka deponuar ankesën e tyre në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës (CAS).

Serbia po kërkon hedhjen poshtë të vendimit të UEFA-s për pranimin e Kosovës, si anëtare të 55-të të saj.

Gabriel Lansky, zyrtar ligjor nga firma “Lansky, Ganzger & Partner”, e ka bërë të ditur lajmin për Tanjug.

“Firma jonë ligjore përfaqëson interest e Federatës së Futbollit të Serbisë kundër vendimit të UEFA-s për Kosovës, dhe për këtë arsye kemi bërë ankesë në CAS”, tha Lansky, raporton “GazetaOlle.com”.

Sipas tyre, Kosova nuk është anëtare e OKB-së, dhe për këtë arsye nuk mund të anëtarësohet në UEFA.

Sidoqoftë, eksperti ligjor i UEFA-s, Alasdair Bell, e kishte argumentuar më së miri këtë në Kongresin e UEFA-s, duke thënë se OKB nuk i njeh shtetet, por shtetet i njohin shtetet, për çka më pas u votua pro Kosovës në UEFA. /Olle