EKSKLUZIVE: Fadil Vokrri tërhiqet nga posti i kryetarit të FFK-s, por vetëm me një kusht

Fadil Vokrri e ka kryer misionin. Tani është i gatshëm edhe të tërhiqet nga posti i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, dhe t’ia lirojë vendin dikujt tjetër.

Misionin e tij që e kishte primar, ai e arriti javën e kaluar, kur FFK-ja u bë anëtare e FIFA-s, dhe disa javë më parë edhe e UEFA-s.

Tani dëshira e tij është të tërhiqet, por vetëm me një kusht, nëse futbollin e Kosovës e lë në duar të sigurta.

“Kam menduar të largohem. Por, kur të shkoj duhet të gjejë një kandidat serioz për ta lënë futbollin në duar të sigurta. Momentalisht nuk po shoh që ka ndonjë kandidat serioz për ta lënë në duar të sigurta”, deklaroi Vokrri ekskluzivisht për “GazetaOlle.com”.

Ai këtë nuk do ta bëjë vetë, por do të bisedojë me ata që ia besuan tri mandate.

“Së pari do të flasë me kuvendarët e klubeve, që më kanë zgjedhur mua, dhe sigurisht se së bashku do ta gjejmë edhe mënyrën më të mirë për t’u tërhequr”, theksoi i pari i futbollit kosovar.

Ai është më i merituari që sot Kosova po shijon anëtarësimin në UEFA dhe FIFA, derisa nesër do të ketë një tjetër moment të veçantë, ku do të mësojë grupin në të cilin Përfaqësuesja jonë merr pjesë në kualifikimet për Botërorin “Rusi 2018”. /Olle