E thotë vetë ministri Gashi: Letra e MKRS’së ishte gabim, ministria s’ka çka përzihet në FFK

Ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, ishte njeriu i momentit në dy ditët e fundit.

Ministria të cilën Gashi e drejton, ka lëshuar një interpretim ligjor mbi legjitimitetin e kreut aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Sipas shkresës juridike të lëshuar nga MKRS’ja, Ademi është zgjedhur kundërligjshëm si kryetar i FFK’së vitin e kaluar.

Por, në një prononcim ekskluziv për gazetën, kreu i ministrisë, Kujtim Gashi, ka deklaruar se dokumenti i lëshuar nga zyra ligjore e MKRS’së ishte gabim.

“Ai intepretim ishte gabim, pasi ministria nuk mund të ndërhyje në asnjë federatë. Ishte veprim  i një individi, por ministria nuk ka të drejtë të përzihet në çështjet e federatës”, u shpreh Gashi për Gazetën Olle.

Ky i fundit e pranon se ky dokument bëri bujë, teksa fajlin e lë tek zyra ligjore që ka bëra një veprim të tillë.

Ndryshe, sikurse raportoi Olle një ditë më parë, nëse MKRS konstaton se ka pasur shkelje si në këtë rast, atëherë gjëja e vetme që mund të bëjë kjo ministri është t’ia heqë licencën FFK-së.

Por, çfarë ndodh nëse i hiqet licenca Federatës së Futbollit të Kosovës?

Edhe nëse kjo ndodh, FFK mund të veprojë edhe pa licencë, dhe e vetmi ndëshkim për ta është të mos marrin fonde nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, gjë që është ashtu nuk kanë nevojë, bazuar në fondet e shumta që marrin nga UEFA dhe FIFA.

Ndryshe, Komitetit Ekzekutiv i FFK’së pritet të mblidhet nesër.

Gazeta Olle ka mësuar nga burimet e saj brenda Federatës së Futbollit të Kosovës që KE’ja është thirrur për një takim të mërkurën (nesër) për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në futbollin kosovar.

Ndër të tjera, do të diskutohet dhe votohet për shkarkimin e Arianit Ahmetit nga pozita e zv/sekretarit të përgjithshëm të FFK’së.

Arianit Ahmeti (në mes)

Ahmeti dje e zyrtarizoi kandidaturën e tij për kryetar të ardhshëm të FFK’së.

Ai konfirmoi që është duke mbledhur vota për thirrjen e një kuvendi të FFK’së ku synohet largimi i kreut aktual, Agim Ademi, dhe ardhja e tij në krye të futbollit kosovar.

Madje, Ahmeti deklaroi se ka plotë 41 vota pas tij. FFK demantoi një lajm të tillë, duke njoftuar se pas Ahmetit nuk janë më shumë se 7 vota.

Gazeta Express mbrëmë njoftoi se nisma e Ahmetit u mbështetë nga Adem Grabovci dhe Astrit Haraqija.

Ky i fundit e mohoi kategorikisht, ndërsa Grabovcit iu publikua një fotografi gjatë një takimi me Ahmetin. Paraprakisht, ai deklaroi se as nuk e njeh Ahmetin. /Gazeta Olle/