Do të luajë ndaj Partizanit: Liridon Latifi kërcënon “Demat e kuq”

Partizani nuk ia doli që të kualifikohet në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve, ndërkohë që në Ligën e Evropës do të ketë përballë një shqiptar.

Një ish-rival të vjetër si Liridon Latifi, i cili do të vijë të enjten e ardhshme në Tiranë si lojtar i Sherif Tiraspol, skuadrës moldave.

Sa për kujtesë, lojtari nga Prishtina u ka shënuar të kuqve në fitoren e thellë 5-2 më 13 prill 2015, pikërisht në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i korçarëve tregon se nuk e ka harruar tifozërinë e atij qyteti. Madje ka edhe një dedikim për ta.

Futbollisti i Kombëtares e ka të vështirë që të komentojë vendimin KAS-it, por tregon çfarë ka ndodhur në skuadrën moldave menjëherë sapo është mësuar se do të kishin përballë një ekip nga vendi ynë.

Liridon, do të vini në Shqipëri për të luajtur kundër Partizanit. Çfarë ndjesie është për ju?

U ndjeva vërtet mirë kur kuptova se do të përballemi me Partizanin. Për mua personalisht do të jetë një ndeshje shumë e bukur.

Tifozëria e Skënderbeut do ju ndjekë me emocione. Shans për t’u bërë një dhuratë?

Sigurisht që po, mundësi për të fituar edhe për ata. Fillimisht, unë do të mundohem që të bëj punën time për skuadrën ku luaj aktualisht. Pastaj, edhe që t’i kënaq tifozët e Skënderbeut. Shpresoj shumë në një fitore në ndeshjen që do të luajmë në Shqipëri.

Ju favorizon fakti që ndeshjen e parë e luani si mysafirë?

Është pozitive gjithmonë një gjë e tillë dhe ne do të mundohemi që ta shfrytëzojmë në maksimum.Shënuat në Champions po nuk ia dolët të kualifikoheni.

E konsideroni Partizanin si rival më të përballueshëm dhe të mundshëm për më tej, tashmë në Europa Ligë?

Realisht mendoj se nuk duhet të ishim këtu ku jemi, pra që të luajmë kundër Partizanit në Europa Ligë. Mirëpo, një pakujdesi dhe një natë e keqe në Tiraspol ishte vendimtare për ne dhe nuk ia dolëm që të kalonim më tej. Sa i përket Partizanit, kundërshtarit në turin e radhës kualifikues në Europa Ligë, them se nuk është një skuadër e lehtë. Kjo është diçka që e dimë të gjithë në Tiraspol. Nuk e nënvlerësojmë aspak. Megjithatë, unë shpresoj dhe mendoj se do të kalojmë në fazën tjetër.