Dështoi në Belgjikë dhe Kroaci: Abazaj rikthehet në Shqipëri te kjo skuadër e madhe

Tirana tenton të afrojë në ekip edhe Kristal Abazajn. Lëvizja më e fundit e presidencës bardheblu është marrja borxh e lojtarit nga Anderlehti. Skuadra e Tiranës duket se ka nisur tratativat me belgët. Qëllimi është ta marrë në ekipin e këtij sezoni. Formula është shumë e qartë.

Kërkohet afrimi në formë huazimi që Abazaj të luajë dhe më pas ose të shitet, ose të bëhet përfundimisht pjesë e Tiranës. Palët mësohet se janë duke diskutuar dhe mund të arrihet një akord përfundimtar. Ndërkaq, me afrimin e Abazajt në ekip, hallet për Memën do të shtoheshin, pasi do të ishin shumë lojtarë në repartin e sulmit dhe pak vende për të luajtur. Ditët në vazhdim do të zbulojnë nëse ka diçka konkrete në këtë diskutim.

Kristal Abazaj dihet që është pa ekip. Sulmuesi ndryshoi skuadër brenda pak muajsh. Anësori i Anderlehtit u huazua me të drejtë blerjeje në Kroaci tek Osijeku. Në Belgjikë deri në janar 2019, ai nuk gjeti hapësira dhe pati disa oferta. Lokereni dhe St. Truden e tentuan gjatë janarit, por nuk u arrit një marrëveshje, shkruan “Panorama Sport”.

Osijeku e mori në huazim me të drejtë blerjeje, por nuk doli gjë. Lojtari luajti vetëm nëntë takime, shënoi 1 gol dhe u aktivizua 475 minuta. Tani futbollisti është kthyer tek Anderlehti, por skuadra e ka jashtë planeve dhe ai po stërvitet në Tiranë. Kristal Abazaj, një ndër emrat më të lakuar në Shqipëri, i cili konsiderohej si e ardhmja e sulmit të Kombëtares, nuk i përmbushi pritshmëritë tek Anderlehti dhe e ardhmja është në dyshim për të qenë pjesë e skuadrës belge.