Bunjaku yjeve të Kosovës, “merrni shembull Majlindën”

“Suksesi i Majlindës erdhi në momentin më të mirë. Ajo duhet të jetë shembull për të gjithë se si duhet të promovohet shteti. Kosova nuk ka para dhe nuk mund t’i japë para askujt, por Kosova mund t’i japë ndjenjat që asnjë vend tjetër nuk mund t’i ofrojë”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës,  Albert Bunjaki.

Ai ka kërkuar nga futbollistët kosovarë që janë në proces të pranimit apo jo të fanellës së Kosovës, që ta marrin shembull Majlinda Kelmendin se si duhet të dashurohet atdheu.

Bunjaki ka thënë se Kosova nuk ka para, dhe se jo gjithçka duhet të lidhet për para. Ai kujton se Majlinda Kelmendi, e cila të dielën në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, i siguroi medaljen e artë Kosovës, ka refuzuar shumë shtete të forta ekonomikisht që kanë ofruar edhe miliona euro, vetëm e vetëm ta përfaqësojë vendin e saj.

“Suksesi i Majlindës, besoj se çdo shqiptar e ka bërë të qajë, pasi ishte diçka madhështore. Kjo vajzë duhet të jetë shembull për të gjithë se si duhet të ndihmohet dhe të promovohet shteti. Pra, jo gjithçka është te paraja. Kosova nuk ka para dhe nuk mund t’i japë para askujt, por Kosova mund t’i ofrojë ndjenjat që asnjëherë nuk mund t’i japë asnjë vend tjetër. Me kujtohet ndeshja e parë që e luajtëm me Haitin në Mitrovicë, e që as për së afërmi nuk krahasohet me suksesin e Majlindës, por disa lojtarë që kanë luajtur në nivele të mëdha evropiane më janë afruar dhe më kanë thënë: ‘Trajner, kurrë kësi ndjenje nuk kam pasur’”.Pra, ndjenjat që t’i jep vendi yt nuk t’i jep askush”, ka thënë Albert Bunjaki, i cili beson shumë se suksesi i Kosovës në Olimpiadë, gjithsesi se do të ndikojë edhe të sportistët e tjerë. “Ky sukses ka ardhur në momentet më të mira dhe unë po besoj shumë se do të ndikojë edhe të futbollistët që Kosova pretendon t’i ketë në gjirin e vet”, ka thënë numri një në bankinën e Kosovës, Albert Bunjaki, shkruan sot gazeta “Kosova Sot”.

alberti

Gushti vendos gjithçka

Pas marrjes së vendimit nga FIFA, se kërkesat e lojtarëve për t’iu bashkuar Kosovës duhet të bëhen veç e veç, në shtëpinë ndërkombëtare të futbollit, tashmë kanë nisur të deponohen kërkesat. Këtë e konfirmon edhe vetë Bunjaki, por pa mundur të japë emra.

“Sigurisht që kanë shkuar kërkesat dhe ne po besojmë se përgjigjet nga FIFA do t’i marrim brenda dy jave, pasi nuk kemi edhe shumë kohë. Unë jam i befasuar me vullnetin e mirë të lojtarëve që duan t’i bashkohen Kosovës”, ka thënë Bunjaki, duke sqaruar se në asnjë mënyrë nuk do t’i bëjnë presion askujt dhe se secili vendim duhet të vijë nga zemra e lojtarit pa presione.

“Duhet ta kuptojmë se këto janë vendime individuale dhe secili do të vendosë për vete. Ne do t’i kuptojmë të gjitha vendimet që i marrin. Është lehtë t’i thuhet dikujt eja luaj për ne, duke mos dashur fare ta marrin parasysh arsyetimin e tij. Pra, ne nuk i bëjmë presion askujt dhe se vendimet do të vijnë nga zemra dhe dëshira e lojtarit për ta përfaqësuar vendin e vet. Mbetet të presim këto dy javë dhe të shohim saktë se kush do të jetë me ne”, ka thënë përzgjedhësi kosovar.

albert bunjaku

15 ditët e fundit

Çdo futbolldashës në vendin tonë në këtë kohë është duke e përcjellë me vëmendje procesin e afrimit të legjionarëve tanë te Kosova. Të gjithë janë kureshtarë të mësojnë emrat që do t’i bashkohen Kosovës, por që në këtë kohë, FFK-ja ka krijuar një “izolimi total” dhe askush nuk i di emrat që janë deponuar. Bunjaki ka njoftuar se gushti është afati i fundit që lojtarët kosovarë, që kanë luajtur për kombëtaret e tjera, të kenë mundësi t’i bashkohen Kosovës.

“Ai lojtar që do t’i bashkohet Kosovës e që më parë ka luajtur për kombëtaret e tjera, ka afat vetëm gjatë këtyre ditëve të mbetura të gushtit të vendosë. Pas publikimit të listës për ndeshjet e shtatorit, më asnjë lojtar kosovar që është pjesë e kombëtarëve të tjera nuk ka të drejtë t’i bashkohet Kosovës. Ne jemi në pritje, jemi në kontakt të vazhdueshëm me lojtarët, e dimë disponimin dhe vullnetin e tyre dhe mbetet të shohim vetëm përgjigjet nga FIFA që do të na japë. Nuk them se është zgjedhje e lehtë për askënd, por të gjithë duhet ta dinë se secili i kemi borxh t’i ndihmojmë vendit të vet”, ka thënë Bunjaki, duke njoftuar se Kosova, për ndeshjen ndaj Finlandës, që luhet më 5 shtator, do të grumbullohet me 1 shator, ndërsa lista e të ftuarve do të shpallet 1 ose 2 ditë më parë, pasi do të presë deri në momentin e fundit se cilët lojtarë ligjërisht kanë të drejtë t’i ftojë e cilët jo.