KOK ndau nga 1 mijë dollarë bursë për tre garues(VIDEO)

Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar kontrata me tre garues të skijimit të cilët do të përgatiten për Lojërat Olimpike Dimërore “PyongChang 2018”.

Me këtë rast, KOK-u ka ndarë ka ndarë bursa në vlerë 1 mijë dollarë në muaj për garuesit Albin Tahiri, Venesa Gjurkaj dhe Arbi Pupovci, raporton Tribuna Channel.

Nga të tre vetëm Tahiri ka siguruar normën olimpike, kurse GJurkaj e Pupovci mbesin me shpresë ta sigurojnë normën gjatë këtij viti.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani foli për bursat, me shpresën se Kosova do të ketë sa më shumë garues në Lojërat e ardhshme olimpike dimërore.

Të pranishëm në konferencë ishin edhe bordi I Federatës Skitare të Kosovës. Kryetari i saj, Milaim Kelmendi falënderoi KOK-un për mbështetjen financiare dhe foli për të tre garuesit.

Më pas radha ju erdhi edhe garuesve, derisa Albin Tahiri foli për vendimin që ka marrë me rastin e zgjedhjes që ka bërë për të përfaqësuar Kosovën, duke u shprehur në gjuhën angleze shkaku i vështirësive me gjuhën shqipe.

Ai është lindur në Slloveni.

“Babai im është nga Kosova kurse nëna nga Sllovenia. Unë jetoj në Slloveni, por kam zgjedhur Kosovën dhe dua ta përfaqësojë vendin e babait tim. Unë kam bërë paksa përvojë në garën e kaluar në Zvicër dhe në këto Lojëra shpresoj që të më realizohet ëndrra për të fituar medalje, edhe pse do të jetë e vështirë. Synimet e mia janë që të fitojë medalje, sepse unë si garues nuk di të dorëzohem kurrë”, tha Tahiri.

Optimiste për të fituar normën u shprehën edhe Gjurkaj e Pupovci.

Lojërat Olimpike Dimërore mbahen në Korenë e jugut në shkurt të vitit të ardhshëm.