Vokrri: “Jemi dy kombëtare, dhe këtu nuk ka më dilema”

Shqipëria e Kosova kanë dy kombëtare dhe mbi këtë nuk mund të ketë asnjë dilemë sipas kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri.

Ai në Rubikon të KTV-së ka thënë që në situatën aktuale mbetet një konkludim i tillë.

“Në situatën aktuale nuk ka diskutim, jemi dy kombëtare dhe nuk ka dilema”, ka thënë Vokrr.

Në anën tjetër, Bajram Shala, menaxher i përfaqësueses së Kosovës, ka potencuar se konkurrenca nuk mungon brenda përbërjes së ekipit, ku vlen të përmendet se shumë prej lojtarëve nuk arritën të marrin pjesë.

Ai ka thënë se problemi e konkurrencës e kanë vetëm te pozita e portierit. “Ambiciet për botëror janë që të ketë paraqitje sa më të mirë”, ka thënë Shala duke shtuar se ndeshjes i kanë munguar lojtarë si Fejzullahu e Besart Berisha. “Problemin e konkurrencës e kemi vetëm te portieri“, përfundoi Shala.

Sipas Kushtrim Sheremetit me gjeneratat e reja duhet të punohet më së shumti duke qenë se përbëjnë vizionin e një përfaqësuese të denjë futbolli.

“Ne si shoqëri kemi nevojë që nga sot të organizohemi për futboll. Duhet të fillojmë të punojmë me fëmijë 5-vjeçar. Duhet të punohet me gjeneratat e reja”, ka thënë Sheremeti.

Pikërisht gjeneratat e reja të Kosovës janë problemi kryesor që ka Zvicra, sipas Shalës. Ai ka theksuar se nuk ka asnjë ekip në Zvicër të grupit të dytë që nuk ka një ose dy lojtarë kosovarë.

“Zvicra problemin kryesor e ka me gjeneratat e reja. Nuk ka asnjë klub të grupit të që nuk ka një ose dy lojtarë kosovarë në ekip. Ka jashtëzakonisht shumë lojtarë”, ka thënë Shala.

E motivimi dhe përgatitjet për lojën tjetër nuk do t’i mungojnë këtij ekipi, sipas Vokrrit.  Ai ka thënë se ndeshja e parë ka zgjuar më shumë emocione mirëpo tash lojtarët duhet të fokusohen në përgatitje për hapat e ardhshëm.

“Lojtarët e kanë treguar vetëm qysh në fillim që janë të përgatitur. Për motivim nuk ka problem, pasi ajo është top në çdo moment, është e vërtetë që ndeshja e parë ka zgjuar më shumë emocione, mirëpo tash duhet t’i lëmë të punojnë të qetë dhe besoj që do të tregojnë performancë edhe në lojëra të tjera”, përfundoi Vokrri.