Kushtrim Munishi godet Prishtinën: “Nuk u treguan profesionist, arsyetimi i tyre i kotë”

 Ish-trajneri i Prishtinës, Kushtrim Munishi, ka dhënë intervistën e parë për largimin e tij nga skuadra. Munishi vendosi të mos vazhdojë me klubin më të madh në vend, pa u nënshkruar kontrata ashtu siç ishin marrë vesh dy muaj më parë kur u emërua trajner.

Prishtina nuk ishte e gatshme ta nënshkruante kontratën, dhe ai vendosi që shkaku i kësaj të mos vazhdojë ta drejtojë ekipin në stërvitje, pa u realizuar marrëveshja e arritur.

Kryesia e klubit, që gjithnjë thirret në profesionalizëm, sikur mezi pritet që Munishi të bëjë një veprim të tillë, dhe ta emërojë në postin e trajnerit gjermanin Lutz Lindemann, të cilin fillimisht  e kishte emëruar si drejtor sportiv.

Nënkryetari i Prishtinës, Ahmet Kurtolli, arsyetoi largimin e Munishit me mos pajtim të kushteve, gjë që mohohet kategorikisht nga ish-trajneri.

“Ai është arsyetim, duke mos ditur të gjejnë ndonjë arsye tjetër, thjesht arsyetim jo profesional”, thotë Munishi ekskluzivisht për Gazeta Olle.

“Unë jam marrë vesh për kontratë dhe të gjitha të tjetrat në momentin kur jam emëruar trajner, por puna e kontratës është neglizhuar. E kam parë që nuk ka logjikë të qëndrojë në një klub pa kontratë profesionale”, vazhdon ish-sulmuesi i mirënjohur.

8.Pri-Gjl-1-0-16shtator2016

Prishtinës ia riktheu Superkupën

Përkundër se kryesia vazhdonte neglizhencën, Munishi vendosi të vazhdojë me skuadrën për gjashtë ndeshje të Vala Superligës dhe një të Superkupës. Bilanci ishte i jashtëzakonshëm, duke arritur pesë fitore e një barazim. Prishtinës ia riktheu Superkupën.

“Në fillim jam fokusuar në punë tërë kohën, dhe më vonë e kam parë që nuk është serioze kjo punë nga ana e tyre, prandaj kam marrë vendim të mos vazhdojë pa kontratë”.

Sa i përket emërimit të Lindemannit ai tha: “Ajo tash është çështje e tyre, me rëndësi është se sa kam qenë në Prishtinë kam arritur me punuar, me e bërë një punë të mirë në klub, çka tregojnë edhe rezultatet në fund. Mëkat pak që u ndërpre kjo kaq herët. Synimet e mia kanë qenë titulli i kampionit, por është tjetër gjë që klubi nuk u tregua aspak profesionist me mua”, shtoi Munishi.

prishtina 77

A kishte presione?

I pyetur nëse ka pasur presione nga kryesia për lojtarë, ai u shpreh: “Falë Zotit presione të tilla nuk kam pasur”.

Kushtrimi nuk është pishman që është larguar, sepse me këtë ka ruajtur autoritetin e profesionistit, duke mos dashur të vazhdojë punën pa pasur një kontratë profesionale, për të cilën ishin marrë vesh me t’u emëruar trajner.

Ai po e lë Prishtinën në vendin e parë, me 13 pikë të tubuara. /Olle