Klubet kosovare luajnë “ping-pong” me trajnerë

Fenomeni i ndërrimit të shpeshtë të trajnerëve nga skuadrat e Superligës këtë edicion ka kulmuar me vetëm një ‘timonier’ që ka arritur të mbijetojë. Prej 12 ekipeve të elitës së futbollit kosovar, vetëm Llapi ka trajnerin me të cilin edhe e ka filluar këtë edicion.

Fjala është për Tahir Batatinën që po vlerësohet edhe si ‘hero’ i bankinës, duke pasur parasysh faktin që homologët e tij nuk e kishin fatin e njëjtë.

Minimumi i trajnerëve që kanë drejtuar një skuadër këtë edicion është dy (përjashto Llapin), por ka edhe klube që kanë ndërruar tre sosh. Zakonisht, trajnerët e larguar thonë se kanë dhënë dorëheqje, por pjesa dërmuese e tyre shkarkohen ose detyrohen të largohen.

Lidhur me këtë, ‘heroi’ Batatina ka theksuar se serioziteti i klubit të Llapit dhe objektivat e arritura kanë qenë faktorët kyçë që ai të vazhdojë ta drejtojë ekipin.

“Unë jam i lidhur ngushtë me skuadrën, por edhe kolektivin dhe kryesia e ka besimin e plotë në mua. Kjo edhe për faktin se planprogrami im 3-vjeçar u realizua. Viti i parë ishte organizimi i skuadrës dhe kompletimi i saj. Viti i dytë ishte inkuadrimi në Superligë dhe viti i tretë qëndrimi në elitë në pesë vendet e para, por edhe kalimi në gjysmëfinale të Kupës”, pohoi Batatina për Gazetën Infopress.

Ai është optimist i madh se me Llapin do të marrë pjesë edhe në gara evropiane. Llapjanët ndodhen në pjesën e epërme të renditjes dhe gjenden në gjysmëfinale të Kupës.

Shosholli: Trajnerët po ia bëjnë vetes

Kryetari i Shoqatës së Trajnerëve në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës, Ajet Shosholli ka theksuar se shkarkimi i shpeshtë i trajnerëve bëhet më shumë për fajin e tyre, pasi ata nuk po i deponojnë kontratat e tyre në FFK.

“Deri më tash nuk ka deponim të kontratës në Federatë apo në Shoqatë, edhe pse ne si bord kemi preferuar që të lidhen kontrata dhe të vërtetohen te noteri e pastaj të sillen te ne”, deklaroi Shosholli.

Ai pohon se nuk mund ta ndalin këtë fenomen, por, në rast se kontratat do të ishin të nënshkruara dhe vërtetuara te noteri, atëherë klubet do të mendonin dy herë për ta shkarkuar një trajner, pasi do të kishin përgjegjësi ndaj kontratës.

“Marrëveshjet e trajnerëve në Kosovë janë kryesisht gojore dhe kjo është nga arsyet kryesore pse ka kaq shumë ndërrime”, përfundoi Shosholli.

Jashari tregon arsyet e këtij fenomeni

Trajneri i njohur kosovar, i cili nuk është i angazhuar te ndonjë skuadër (punon në shkollë futbolli), Afrim Jashari, problemin e ndërrimit të shpeshtë të homologëve të tij e sheh te mungesa e bashkëpunimit të tyre me Shoqatën.

“Fajtori kryesor sipas meje është mungesa e bashkëpunimit mes Shoqatës dhe vet trajnerëve, sepse kjo mungesë iu jep mundësi kryesive të klubeve që me trajnerë të luajnë ping-pong, t’i emërojnë dhe t’i shkarkojnë kur të ju teket”, deklaroi Jashari.

“Duhet cekur se mungon edhe mbrojtja e institucionit të Federatës për deponimin e kontratës mes klubit e trajnerit. Mendoj se të gjitha ato klube që nuk i përmbahen kësaj mënyre të kontratës duhet t’u hiqen pikët”, ka thënë ai.

“Fatkeqësisht edhe shumë kolegë të mi kanë zgjedh një rrugë të gabuar, sepse ata vet lejojnë që të luhet me autoritetin e tyre vetëm e vetëm të jenë në krye të ekipeve e të dalin në media e qe besa ka edhe të atillë që premtojnë e nuk përmbushin objektivat. Por, një fakt që nuk duhet harruar është se anëtarët e kryesive po e shfrytëzojnë gjendjen e vështirë ekonomike për t’i nënshtruar disa trajnerë”, përfundoi Jashari, i cili ka drejtuar Drenicën në të kaluarën.

Deri në përfundim të këtij edicioni në Superligë kanë mbetur edhe shtatë xhiro. Mbetet të shihet nëse Batatina do të jetë vërtetë ‘hero’ apo edhe ai do ta ketë fatin e kolegëve të tij.