10 karateistë të Kosovës synojnë ta ‘pushtojnë’ podiumin në Spanjë

Kombëtarja e Kosovës në karate ka udhëtuar drejt Spanjës, ku prej 28 – 31 mars do të mbahet kampionati i 54-të evropian për senior në qytetin e Guadalajaras së Spanjës.

Gjithësej 10 karateisë do të përfaqësojnë Kosovën në shtetin, i cili vazhdon të mos e njoh vendin tonë, njëkohësisht duke iu nxjerr shpesh herë probleme sportistëve tanë.

Vlerona Shala (kata), Albulena Gërvalla (-55 kg), Fortesa Orana (+68 kg), Argjend Berjani (kata), Orges Arifi (-60 kg), Ylli Cenaj (-67 kg), Elhami Shabani (-75 kg), Alvin Karaqi (-84 kg), Herolind Nishevci (+84 kg), do të kërkojnë medalje, ndërsa në kumite kombëtarja jonë përfaqësohet me: Nishevcin, Arifin, Cenajn, Karaqin, Shabanin, si dhe Blodin Pakashticën.

Albulena Gërvalla vjen pas suksesit në evropianin U-21 të mbajtur muajin e kaluar në Aalborg të Danimarks, ku fitoi medaljen e bronztë, ndërsa Herolind Nishevci rikthehet në gara pas mungesës në Premier Ligën Salzburg 2019, ku vitin e kaluar kishte fituar medaljen e artë.

Ekspedita e karatesë ka udhëtuar të martën drejt Spanjës. Para nisjes ata janë shprehur optimist për të fituar medalje.

“Jemi përgatitur maksimalisht për pjesëmarrje në këto gara shumë të rëndësishme dhe shpresoj se në Kosovë do të kthehemi si fitues me medalje. Atje do të shkojmë me dhjetë garues, tri femra dhe shtatë meshkuj”, ka thënë Ismet Krasniqi, kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës, gjatë pritjes që iu bëri ministri i Sportit, Kujtim Gashi.

Në evropianin e kaluar të mbajtur në Novi Sad të Serbisë, kombëtares tonë iu mohua hyrja për në Serbi nga qeveria e këtij vendi. Evropiani i tashëm është rast i mirë për të fituar pikë Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020, si dhe për të fituar normën për Lojërat Evropiane Minsk 2019, të cilat mbahen prej 21-30 qershor 2019.